2 Korriku theu “akullin”; “verdheblutë” i dhanë fund serisë prej katër barazimeve radhazi në kampionat dhe triumfuan në “frymën” e fundit përballë rivalit direkt të këtij edicioni, Arbërisë.
Me një super 16-vjeçar si Elvir Gashijan e me një mesfushor me përvojë shumë-vjeçare si Prekopuca, skuadra nga kryeqendra arriti që t’ia dhurojë vetes ndoshta fitoren më të rëndësishme të shtatëmbëdhjetë xhirove të luajtura deri tani.

Fitorja ishte e ëmbël, por çfarë ndodhi deri në arritjen e këtij triumfi, i bëri me nerva të gjithë– përfshirë këtu futbollistët, pjesëtarët e stafit teknik e edhe shikuesit vendës.
Një ndeshje e nisur jo mirë, ishte e sotmja për skuadrën kryeqyetase, të cilës iu deshën ndryshime në formacionin startues, si rrjedhojë e mungesave të mbrojtësve të krahëve Përparim Osmani (i lënduar) e Riad Jashari (ka akumuluar katër kartonë të verdhë), që u zëvendësuan për mrekulli nga të rinjtë Milot Hyseni e Andi Salihu.
Raporti i ndeshjes/ Rrezikimi i lehtë përmes Bajramit (5’) e shtylla e goditur nga Molliqaj (7’) ishin shenjat e para se Abëria në kryeqendër nuk kishte udhëtuar për t’u mbrojtur a për të pritur diçka nga kundërzbritjet.
Për të treguar “shenja jete”, nga vendësit u përkujdes lojtari më në formë i ndeshjes, njëkohësisht futbollisti që luajti për herë të parë si startues me “verdheblutë”, Elvir Gashijan. Me shpejtësi të madhe arriti të futet deri në zonë nga krahu i djathtë, dërgoi topin tek Camara e ky goditi për në portë, por topi u ndalë nga dora e kapitenit mysafir dhe arbitri kryesor Jasarevic nuk hezitoi e akordoi penallti. Nga pika e bardhë nuk gaboi i përhershmi, Flamur Bajrami. 1:0 për 2 Korrikun (20’).

Goli siç u pa, nuk iu dha fund “vuajtjeve” të vendësve; Arbëria vazhdoi me trysni e madje tentoi me kapitenin Uka, goditja e të cilit shkoi jashtë portës, mirëpo u cilësua si e devijuar nga gjyqtari kryesor që sinjalizoi për rivënie nga këndi, nga e cila nuk pati rrezik (23’).
Të besuarit e Besim Ademit ngadalë morën veten dhe nisën ta marrin ndeshjen në kontroll. Katër minuta para fundit të pjesës së parë epërsia ka mundur lehtë të ngrihet, sikur Bajrami të tregohej më i saktë me goditjen e tij pas harkimit fantastik të mbrojtësit Salihu (41’).
Përkundër rastit të “verdhebluve”, Arbëria vendosi të mos ndalet. Një top i humbur nga Gashijan u shfrytëzua nga mesfusha mysafire, me topin që shkoi në hapësirën e Molliqajt, që vërejti daljen e portierit Ajeti, goditi, por plogësht dhe jashtë.
Fraksioni i parë i përballjes u mbyll me epërsinë minimale të skuadrës kryeqytetase.

Pjesa e dytë nisi furishëm për skuadrën mysafire. Bikliqi, i ndihmuar edhe nga reagimi i dobët i portierit Ajeti, pas dy goditjeve arriti që përfundimisht ta dërgoi topin në fundin e rrjetës për të barazuar shifrat në 1:1. Gëzim i madh tek futbollistët “kuqezi” dhe në stolin “dobrajas”.
Goli i dytë i ndeshjes komplikoi gjërat. 2 Korriku e kishte të qartë se përpos fitores, asgjë tjetër nuk do të kryente punë. Në anën tjetër, edhe Arbëria, që deri diku ishte e kënaqur me një pikë, kërkonte mrekullinë – fitoren.
Tridhjetë minutat e fundit të ndeshjes ishin të zjarrtë. Sulme nga të dyja anët, raste e aksione të shpejta u panë, mirëpo ato që janë më kryesore, golat, nuk u shënuan – të paktën jo deri në shtesën e pjesëlojës së dytë.
Para se ndeshja të shkonte drejt fundit, skuadra vendëse lehtë ka mundur ta thellojë epërsinë, sikur Prekopuca (64’) të ishte më i saktë me goditjen e tij apo edhe Beqiri e Gashijan (69’) të komunikonin në rastin e ardhur pas harkimit nga Camara prej goditjes këndore.
Përkundër rasteve të nikoqirëve, Arbëria nuk u zmbraps. Luhej minuta e gjashtëdhjetë e nëntë kur Ajeti i vendësve shpëtoi skuadrën me një super-pritje pas goditjes së rrezikshme të “dobrajasve” me kokë. Kjo pritje, disi u pa si përmirësim i gabimit nga ana e Ajetit.
Pas rastit të Arbërisë, ndeshja që shkonte drejt fundit, nuk prodhoi më raste të mira shënimi, të paktën deri në shtesë, kur Gashijan, për ta vulosur super-paraqitjen e tij, kaloi për mrekulli në mesin e tre futbollistëve mysafirë e u pengua nga Sekiraqa (90’+5’). Jasarevic sinjalizoi sërish për penallti. Gashijan, për fat të mirë, shpëtoi nga lëndimi. Në kampin “verdheblu” u ndje çlirim. Topin për ta goditur e mori Prekopuca. Veterani i skuadrës nga lagjja Arbëria goditi fuqishëm dhe përkundër përpjekjeve të porterit Reka për ta pritur – topi shkoi në fundin e rrjetës. Festë e madhe nga të gjithë “verdheblutë” në stadium.

Pas golit, ndeshja vazhdoi edhe për disa sekonda deri në fishkëllimën e “bilbilit” kryesor, Belmin Jasarevic.
Me këto tri pikë, 2 Korriku përkohësisht kalon në pozitën e shtatë me 16 pikë dhe tashmë sytë i ka kah “Ferki Aliu”, atje ku “konak” do t’i bëjë ekipi i renditur në pozitën e tretë në Viva Fresh Ligën e Parë, Vushtrria.
Viva Fresh Liga e Parë; Java e Shtatëmbëdhjetë
2 Korriku – Arbëria [2:1] (1:0 pas pjesës së parë)
Golashënues: Flamur Bajrami (pen. 20’), Ylli Prekopuca (90’+5’); Andi Bikliqi (50’)
Gjyqtarët: Belmin Jasarevic, Fatmir Abrashi, Fisnik Rama
Delegat i ndeshjes: Shemsedin Abazi
Vëzhgues i gjyqtarëve: Zekë Miranaj
Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, A. Salihu, A. Salihu, A. Beqiri, M. Hyseni, A. Oruqi /kap./ (A. Bllaca 69’), B. Qorri (R. Bejta 81’), G. M. Camara (I. Lebbie 81’), E. Gashijan, M. Avdiu (I. Hallie 58’), F. Bajrami (Y. Prekopuca 58’). Kryetrajner: Besim Ademi.
Formacioni startues i Arbërisë: A. Reka, D. Sekiraqa, A. Gerbeshi, M. Ajeti (A. Jashari 69’), E. Hyseni, A. Berisha, A. Uka /kap./, A. Bajrami (Sh. Fazliu 53’), A. Zuqaku (A. Osmani 78’), F. Molliqaj (R. Bajrami 53’), A. Bikliqi (A. Bekteshi 78’). Kryetrajner: Besart Cecelia.






