Sot më datë 11 Tetor është mbyllur turneu kualifikues për EURO 2023 për moshat nën 17 vjeç. Ndeshjet e këtij turneu, të cilat u zhvilluan në stadiume si “Fadil Vokrri” në Prishtinë e në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, u organizuan nga Federata e Futbollit të Kosovës e dhuruan shumëçka, duke nisur nga spektakli e golat që për futbolldashësit vendorë do të mbesin si kujtime të paharruara, për vet faktin se shteti ynë pati nderin që të mirëpres ndeshje të niveleve të tilla.
Ndonëse mikpritëse e turneut, Kosova nuk arriti të korrë sukseset që pretendoi në këtë turne, teksa e mbylli ciklin e ndeshjeve me vetëm një pikë të fituar dhe si rrjedhojë u rendit e fundit në grupin 8, ndërsa para saj dolën kombëtare si Italia, Finlanda e Greqia.
Pjesë e këtij turneu, konkretisht Kosovës, ishin dyshja nga Klubi i Futbollit “2 Korriku”, Beart Zhubi e Elvir Gashijan, me Zhubin që udhëhoqi kombëtaren “dardane” si kapiten e me Gashijanin që arriti të lë shenjë kundër Italisë, kombëtare të cilës arriti t’i shënoi gol.
Zhubi, që nga përzgjedhësi Arsim Abazi iu besua shiriti i kapitenit, ishte startues në ndeshjet kundër Italisë e Greqisë, kurse Gashijan u paraqit si startues kundër Italisë, ndeshje ku edhe u lëndua, si dhe kundër Finlandës, ndërsa nga banka rezervë hyri në ndeshjen kundër Greqisë të zhvilluar në “Zahir Pajaziti” të Podujevës.
Futbollistët e rinjë, Zhubi e Gashijan, u shprehën të kënaqur që ishin pjesë e “dardanëve” në këtë grumbullim, ndërkohë që potencuan se zhgënjimi është më i madh sesa kjo kënaqësi për faktin se shtetit të Kosovës nuk arritën t’i sjellin rezultate më të mira. Megjithatë, dyshja e klubit kryeqytetas premtoi se bashkë me “dardanët” tjerë do të punojnë edhe më shumë që një ditë t’i sjellin rezultate më të mia Kosovës e të ia mundësojnë kualifikimin nëpër gara të rëndësisë së madhe evropiane, e pse jo edhe rëndësisë botërore.






