2 Korriku barazoi në duelin e parë zyrtar të këtij edicioni, duke realizuar dy gola e duke pranuar dy sosh përballë rivalit lokal, Ramiz Sadikut. Në këtë ndeshje, pati vend për debutimin e futbollistëve të ardhur në këtë afat si: Përparim Osmani, Boiken Shala e Valton Ibrahimi, ndërsa u rikthye të luaj me fanellën “verdheblu” edhe mbrojtësi Salihu. Vend pati edhe për të promovuarin Alpi Shahini, që u inkuadrua si zëvendësues.
Me Osmanin në krah të djathtë, Ibrahimin në të majtin, e në qendër me shtatgjatët Salihu e Shala, mbrojtja “verdheblu” u rreshtua me katër futbollistë. Nga ky rreshtim, më aktivët u treguan mbrojtësit e krahut, të cilët shpeshherë dolën të jenë të rrezikshëm me përpjekjet e tyre për të gjetur sulmuesit, mirëpo konkretizimi i rasteve ishte në nivel të dobët, çka si rrjedhojë edhe bëri që 2 Korriku të largohet me vetëm një pikë.
Si përfundim, performanca e djemve të ardhur në këtë afat nuk doli të jetë më e mira e mundshme, mirëpo përkundër kësaj, pati edhe momente shumë pozitive gjatë takimit, të cilat japin shpresë se me kalimin e kohës dhe komponimin e skuadrës, do të arrihen rezultatet e dëshiruara për të cilat edhe po bëhet e gjithë puna.
Nga fjalët e futbollistëve të afruar, u nënkuptua se zhgënjimi ishte i pranishëm paksa, duke pasur parasysh se me sa lehtësi skuadra do të mund të largohej me tri pikë nga stadiumi i rivalëve nga kryeqyteti. Mirëpo, ndeshja kaloi dhe të gjithë tashmë kanë sytë kah dueli i radhës, nga i cili skuadra e ka të qartë se çfarë duhet të fitoj.
Pos të transferuarve, në këtë duel erdhi momenti i shumëpritur për debutim edhe për të promovuarin nga skuadra e moshave nën 17 vjeç të 2 Korrikut, 17 vjeçarin ferizajas, Alpi Shahini. Shahini u inkuadrua në momentet e fundit të ndeshjes, kur edhe zëvendësoi sulmuesin Miftar Avdiu.






