Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë me dije se janë deleguar zyrtarët për ndeshjet e xhiros së nëntë në Viva Fresh Ligën e Parë në futboll.
Nga delegimet e bëra, bie në sy se 2 Korriku – Vushtrria i është besuar Taulant Haxhimustafës, gjyqtarit të njëjtë që një përballje Vushtrria – 2 Korriku e kishte gjykuar edhe në edicionin e kaluar, më saktë atë të xhiros së tretë të Viva Fresh Ligës së Parë.
Pos ndeshjes së edicionit të kaluar, së fundmi, 2 Korriku Haxhimustafën e ka pasur për gjyqtar kryesor edhe në duelin e zhvilluar javë më parë kundër Ulpianës në “Sami Kelmendi”, duel që po ashtu ishte zhvilluar në kuadër të rangut të dytë të garave në futbollin tonë.
Në duelin e nesërm, Haxhimustafa nuk do të jetë i vetëm, teksa do të ndihmohet nga Arsim Sadiku e Pashtrik Burrniku të cilët do të jenë në rolet e asistentëve.
Mes tjerash, është me rëndësi të përmendet se në duelin mes “kryeqytetasve” e “vushtrriasve”, vëzhgues i gjyqtarëve do të jetë Zymer Berisha, e delegat i ndeshjes Enver Duriqi.






