AlbanianEnglish

,

Në vigjilje të përballjes 2 Korriku – Vushtrria, flet i riu Arjol Bllaca

Nesër, më 15 Tetor, 2 Korriku e Vushtrria do t’i masin forcat e tyre në stadiumin e 2 Korrikut në kryeqytet. Ky ballafaqim, që parashihet të nisë në ora 13:00, do t’i gjej përballë skuadrat me gjendje krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Në njërën anë 2 Korriku me vetëm një fitore në tetë xhiro, e në anën tjetër një Vushtrri që ndodhet në pozitën e dytë në renditjen tabelare e që gëzon pesëmbëdhjetë pikë.

Në prag të ndeshjes, në kampin “verdheblu” ekziston motivi e dëshira për të nisur një seri të mirë të rezultateve, sidomos pas fitores së mundimshme të arritur në Lipjan kundër “dobrajasve”Arbërisë. E për të na i sqaruar edhe më mirë të gjitha, për 2korriku.com ka folur Arjol Bllaca, i cili prononcimin e tij e bëri me të përfunduar stërvitjen e fundit para ballafaqimit të nëntë zyrtar të këtij edicioni.

“Fitorja na ka ndihmuar shumë. Them na ka ndihmuar shumë, sepse e di se në çfarë gjendje kemi qenë deri sa nuk e arritëm fitoren e parë, dhe tash meqë e kemi arritur, normalisht se jemi pak më të çliruar në të gjitha aspektet. Do të kërkojmë që këtë moment të mirë që e kemi ta shfrytëzojmë dhe pse jo edhe nesër ta vazhdojmë me fitore e të hyjmë në një seri të mirë të rezultateve”, tha së pari Bllaca.

Tutje, mesfushori me tipare defanzive shtoi: “Ende na duhet kohë që të rritemi si ekip, mirëpo në anën tjetër e dimë se nuk mund të vazhdojmë të humbim ndeshje, për shkak që faza e parë veç po shkon e neve na duhet reflektim dhe jo ndeshje të zbehta e pa rezultate.”

Bllaca, që formimin si futbollist e ka arritur tek 2 Korriku, debutoi me seniorët “verdheblu” qysh në edicionin e kaluar, teksa në këtë edicion ka arritur që të futet në formacionin bazë. Për këtë gjë, ai foli kësisoj: “Është mirë që të arrish vend si startues në ekip, por pastaj është edhe përgjegjësi kogja e madhe. Për fat të mirë deri tash po ia dal mirë dhe shpresoj që kam për të vazhduar kështu.”

Kujtojmë se skuadra nga Arbëria ka arritur fitoren e parë në xhiron e kaluar, teksa se a do të kërkohet rezultati i njëjtë edhe kundër Vushtrrisë, mesfushori Bllaca dha këtë mesazh për fund: “Prej se jam pjesë e 2 Korrikut, asnjëherë nuk jam futur në një ndeshje për diçka tjetër pos fitores. Edhe nesër, bashkë me ekipin, qëllimin do ta kemi të njëjtë, ta mbyllim ndeshjen si fitues.”

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave