Paraditen e sotme, në Stamboll të Turqisë është mbajtur takimi i radhës i bordit të klubit me renome, njëkohësisht klubit me të cilin bashkëpunon FC 2 Korriku, Beşiktaş J.K..
Takimi i sotëm, i vlefshëm për të diskutuar për bashkëpunimet që klubi dhe akademia turke kanë nëpër botë, ka bërë që të vihen në pah të arriturat e deritanishme nga marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar në Dhjetor të 2021-tës në mes të FC 2 Korriku dhe Beşiktaş J.K..
Konkretisht për klubin kosovar foli drejtori turk i akademisë së futbollit Beşiktaş, z. Firat Fidan, i cili tregoi për ecurinë e bashkëpunimit me klubin nga kryeqendra e Kosovës si dhe foli edhe për punën e bërë nga trajneri i ardhur në Kosovë enkas për bashkëpunimin në mes klubit kosovar dhe atij turk, z. Gökhan Yusufoğlu.
Yusufoğlu, me raportet e tij të vazhdueshme në drejtim të klubit turk, zyrtarët e klubit turk i ka mbajtur të përditësuar vazhdimisht me zhvillimet në klubin kosovar ose thënë ndryshe, në lidhje me zhvillimin e futbollistëve të shkollës “verdheblu” të futbollit.
Mbledhja e sotme e bordit të klubit turk ishte e para nga dy sosh që mbahen gjatë tërë vitit, andaj vlerësimet e larta dhe rëndësia që i është dhënë bashkëpunimit me klubin “verdheblu” nga ana e përfaqësuesve të klubit të Beşiktaş, nuk ka mbetur pa u përshëndetur nga drejtori gjeneral i FC 2 Korriku, z. Shaban Baholli, që mes tjerash ka potencuar se kjo është vetëm nisma e një projekti gjigand që pikësynim ka të ardhmen afatgjate si për klubin e 2 Korrikut, ashtu edhe për shkollën e klubit.






