Më pak se një ditë nga ndeshja, prononcohet mesfushori Labinot Jetullahu

2 Korriku nesër do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në grupin “B”Viva Fresh Ligës së Parë. “Verdheblutë” nga kryeqyteti do të udhëtojnë drejt Pozheranit, atje ku do ta kenë për nikoqire skuadrën e Vllaznisë.

Skuadra nga Arbëria sot ka përfunduar përgatitjet për duelin e tretë zyrtar të këtij edicioni, ndërsa me të përfunduar seanca stërvitore e paradites së sotme, mesfushori me shumë përvojë në futbollin kosovar, Labinot Jetullahu, ka gjetur kohë për t’u prononcuar për 2korriku.com.

“Jam i gatshëm për ndeshjen e nesërme. Rikthehem pas një shqetësimi që e pata javën e kaluar, shkak i të cilit edhe nuk arrita të aktivizohem në ndeshjen e fundit. Nesër do të jem në dispozicion të trajnerit për ta ndihmuar skuadrën me angazhimin tim”, u shpreh fillimisht Jetullahu, i cili për 2 Korrikun ka realizuar golin e parë në këtë edicion.

I pyetur në lidhje me skuadrën kundërshtare për ditën e nesërme dhe për kampionatin në tërësi, nga mesfushori Jetullahu u dha kjo përgjigje: “Si secilën herë tjetër, edhe këtë javë i kemi kryer të gjitha përgatitjet për ndeshjen e radhës. Nuk na mungon motivimi. Na mungojnë rezultatet, por kjo nuk na demoralizon, aq më tepër na shtyn përpara që të mos ndalemi, sepse e dimë që na duhet kohë për të arritur atë që duam si ekip që kemi pësuar goxha ndryshime. Vllaznia është skuadër që duhet ta respektojmë, por në fushë duhet dhënë më e mira, përndryshe vështirë se do të arrijmë pikë nga një fushë e vështirë siç edhe është ajo e Pozheranit.”

2 Korriku në këtë duel do të kërkojë tre-pikëshin e parë të edicionit, e për ta arritur këtë do të duhet të kaloj një skuadër e cila po ashtu nuk ka arritur ende që ta regjistroj fitoren e parë. E për t’i arritur pikët e para të plota, Jetullahu thotë se është në dijeni se duhet angazhim e dëshirë e madhe, andaj edhe skuadrën e sheh si shumë të përgatitur dhe aspak në presion të rezultateve në këto momente.

Kështu, prononcimi për faqen zyrtare të “verdhebluve”, u mbyll me këto fjalë të mesfushorit: “Është vetëm ndeshja e tretë. Rruga në kampionat është e gjatë. Do të na duhet sakrificë e madhe për të arritur atje ku duam të shkojmë në fundin e këtij edicioni. Besoj shumë te shokët e ekipit dhe besoj shumë se duke nisur nga ndeshja e nesërme do të arrijmë të shfaqim fytyrë tjetër si ekip.”

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave