Pas aventurës dyjavore të Riad Jasharit në prova te HNK Hajduk Split, tani radha është që të testohen dy futbollistë tjerë nga 2 Korriku, po ashtu të dy të rritur në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”. Bëhet fjalë për Arjol Bllacën e Beart Zhubin, të dy futbollistë të vitit të lindjes 2005.
Bllaca e Zhubi tashmë kanë shkuar në Kroaci dhe aty do të qëndrojnë për afro dy javë. Ditët që dyshja nga Kosova do të i kalojnë në klubin kroat do të jenë kryesisht ditë të ngarkuara me seanca stërvitore, gjatë të cilave futbollistët Bllaca e Zhubi do të japin maksimumin e tyre si dhe do të tregojnë aftësitë e tyre në prani të trajnerëve kroatë.
Rastet e futbollistëve për ta treguar veten në prova në klube me emër jashtë vendit po vijnë duke u shtuar, e kjo është sinjal i mirë e mundësi e jashtëzakonshme për futbollistët e rinjë, të cilëve mundi e angazhimi në futboll po iu shpërblehet me mundësi të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ndërtimin e karrierave të tyre në sportin e futbollit.
Ritheksojmë se 2 Korriku si klub nga Kosova, ka të nënshkruar memorandum bashkëpunimi me klubin e madh kroat, HNK Hajduk Split, andaj “verdheblutë” e vlerësojnë lartë bashkëpunimin me kroatët si dhe theksojnë se bashkëpunimi nuk do të mbyllet vetëm në sferën e shkuarjes së futbollistëve në prova, por edhe në sfera tjera të sportit të futbollit.
Klubi i Futbollit “2 Korriku”, gjithashtu, u uron shumë suksese futbollistëve Arjol Bllaca dhe Beart Zhubi në provat që do të i zhvillojnë në shtetin kroat.






