AlbanianEnglish

,

Në “frymën” e fundit të sezonit vjeshtor, 2 Korriku kërkon fitoren e dytë me radhë

Super të motivuar pas triumfit në shtëpi kundër “pozheranasve”Vllaznisë, futbollistët e 2 Korrikut tashmë kanë për synim triumfin e radhës, atë në udhëtim, kundër skuadrës së Kikës, e cila në fazën e parë i kishte mposhtur “verdheblutë” në shtëpi me rezultat të ngushtë, 1:2.

Një javë me punë intensive ishte kjo e fundit për kryeqytetasit, që paraditen e sotme kanë mbyllur përgatitjet e fundit dhe tashmë janë tërësisht të fokusuar në duelin që zhvillohet nesër, e që nis në ora 13:00 në stadiumin në Kamenicë, atje ku Kika është paraqitur këtë edicion.

Nga kampi i skuadrës së 2 Korrikut, futbollistët kanë treguar optimizëm të lartë për nesër, teksa fjalën për 2korriku.com e ka marrë mbrojtësi Abit Salihu, i cili së fundmi është rikthyer nga lëndimi që e mbajti atë jashtë fushave për një kohë bukur të gjatë.

“Po më vjen mirë që në ekip ka shumë besim për nesër. Besoj se është e pritshme dhe normale, pas asaj fitoreje të madhe që morëm kundër Vllaznisë në fundjavën e kaluar”, tha fillimisht Salihu.

Duhet përmendur se deri tani, 2 Korriku ka korrur dy fitore, ka barazuar tri herë, është mposhtur shtatë herë dhe momentalisht ndodhet në pozitën e fundit me vetëm nëntë pikë, ndërsa në anën tjetër, Kika ka arritur tri fitore, gjashtë barazime, tri humbje dhe ndodhet në pozitën e gjashtë më pesëmbëdhjetë pikë. E për këtë diferencë mes pikëve, Abiti ka disa fjalë. “Janë vetëm gjashtë pikë dallim me Kikën. Për neve është mirë që kundërshtarët nuk kanë arritur që të krijojnë diferencë të madhe të pikëve me neve, sidomos në atë fillimin e kampionatit kur ne kemi qenë jashtëzakonisht në formë të dobët me rezultate. E meqenëse diferenca e pikëve nuk po është shumë e madhe, ne po punojmë fort që vjeshtën të mos e mbyllim në fund të tabelës, por të largohemi dhe të jemi më të qetë deri në pranverë”, shtoi Salihu për sa i përket renditjes tabelare.

Tashmë me plot njëmbëdhjetë xhiro të zhvilluara në edicionin 2022/23, stinori vjeshtor në Viva Fresh Ligën e Parë po shkon drejt fundit, e kjo nuk u la pa u përmendur edhe nga vet futbollisti i 2 Korrikut, mbrojtësi Salihu. Ai, mes tjerash tha se: “I kemi vetëm edhe dy ndeshje në kampionat, pastaj me sa e di e kemi edhe një tjetër për Kupë të Kosovës. Të them të drejtën për momentin jemi duke e menduar vetëm Kikën si skuadër dhe ndeshjen kundër tyre, pastaj natyrisht që ne do t’i shkojmë deri në fund kampionatit, sepse secila pikë është e vlefshme dhe madje shumë me rëndësi. Pastaj, se çka na sjell kupa, ajo do të jetë vetëm një lloj motivi shtesë që në të tregojmë cilësitë tona kundër kundërshtarëve që me shumë gjasa do të jenë nga një rang më i lartë i garave, por për këtë nuk është se dua të flas më shumë, pasiqë është ende herët dhe më me rëndësi për momentin janë ndeshjet në kuadër të kampionatit.”

E fundi i prononcimit nuk mund të ishte ndryshe vetëm se me një paragraf përmbyllës nga vet Abiti. “Ekipi ynë ka shumë cilësi dhe si i tillë duhet respektuar, ashtu siç ne e respektojmë çdo ekip kundërshtar. Nesër është një test i vështirë për neve, por jemi futbollistë dhe për këso ndeshje stërvisim e angazhohemi në çdo seancë stërvitore. Andaj, le të shkojmë për fitore dhe t’ia shpërblejmë vetes tërë punën që po e bëjmë”, tha mbrojtësi shtatgjatë.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave