Për Viva Fresh Ligën e Parë nuk do të ketë shumë pushim, teksa nesër do të rikthehet në aksion me ndeshjet xhiros së pestë. E pikërisht xhiroja e pestë do t’i shoh futbollistët e 2 Korrikut të udhëtojnë për në Lipjan, atje ku në “Sami Kelmendi” do t’i masin forcat me futbollistët e Ulpianës.
2 Korriku, që nuk po gëzon formë të mirë e ecuri aspak të mirë të rezultateve, ka kryer përgatitjet që nga dueli i së martës të dalë me fitoren e parë, çka edhe do t’i shërbente vet skuadrës si motiv shtesë për ndeshjet në vijim.
Se si shihet dueli i së martës, sa rëndësi ka për skuadrën dhe për shumëçka tjetër, foli sulmuesi Miftar Avdiu për 2korriku.com, i cili deri tani është paraqitur si startues në tri ndeshje e në një tjetër ka hyrë si zëvendësues.
“Po shkojmë për xhiron e pestë dhe ende nuk kem arritur fitoren e parë. Jemi në ecuri jo të mirë, por s’bën të hyjmë në presion. Duhet të vazhdojmë të angazhohemi, të punojmë edhe më shumë, edhe lehtë kemi për të arritur tek fitorja”, tha së pari Avdiu, i cili ende nuk e ka arritur golin e parë në këtë edicion.
“Ende nuk kam arritur të shënoj dhe normal se është pak e vështirë për mua, mirëpo po e jap maksimumin dhe po mundohem ta bëj një gjë të tillë, të shënoj. Nuk ndalem së besuari se shpejt kam për ta arritur golin e parë, i cili besoj se ka për ta hapur rrugën për mua që ta ndihmoj skuadrën ashtu siç unë di më së miri, duke shënuar gola”, vazhdoi tutje sulmuesi i rritur në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”.
Një kundërshtare si Ulpiana, sulmuesi shtatgjatë e sheh si shumë të vështirë për t’u mposhtur, por njëkohësisht beson se dëshira e madhe e skuadrës nga Arbëria do të jetë shtysë e madhe që skuadra t’i marrë pikët e plota të martën. “Me Ulpianën kemi luajtur edhe në fazën përgatitore. Është ekip i mirë që mund të mposhtet vetëm atëherë kur ne japim më të mirën nga vetja, sidomos kur angazhimi jonë do të jetë në maksimum, se përndryshe kemi për të hasur në probleme sërish për ta arritur atë që na duhet. Neve veç po shkon duke na u rritur dëshira për ta arritur fitoren e parë dhe si moment të duhur për ta arritur këtë gjë e shohim ndeshjen e nesërme, kështu që, le të shkojmë në Lipjan dhe t’i marrim tri pikë, që kaq shumë po i kërkojmë”, e mbylli prononcimin i riu prishtinas që nesër do të jetë nën urdhërat e kryetrajnerit Ademi, për ndeshjen e pestë kampionale.
Dueli Ulpiana – 2 Korriku zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” me fillim në ora 15:00.






