Klubi i Futbollit “2 Korriku” ka kënaqësinë që të njoftoj opinionin se futbollisti Ardi Trshani, i vitit të lindjes 2004, ka kompletuar transferimin e tij te skuadra kroate, Slaven Belupo.
Ardi, i regjistruar në Shkollën e Futbollit “2 Korriku” që nga mosha e hershme, tash e tutje karrierën do ta vazhdoj në futbollin kroat, atje ku do të bartë fanelën e Slaven Belupos, skuadër me të cilën tashmë ka arritur akordin final.
Trshani, që te 2 Korriku kaloi nëpër të gjitha grupmoshat e reja, ka pasur rastin që të paraqitet edhe me moshat nën 19-vjeç të “verdhebluve” e disa herë të jetë i grumbulluar me skuadrën seniore.
Sulmuesi këmbëshpejtë, që në Majin e vitit në të cilin jemi i mbushi 18 vite jetë, ndër vite është dalluar si futbollist i shpejtë, me teknikë të jashtëzakonshme e shumë i papërshtatshëm për kundërshtarët, sepse gjithnjë ka ditur që ta bëj dallimin në fushën e futbollit, sidomos në ato momente kur skuadrës i është dashur më së shumti.
E në lidhje me këtë transferim, nga klubi kryeqytetas, të gjithë e urojnë e ndihen krenarë me Ardin. Për më tepër, të gjithë nga klubi “verdheblu”, e shohin këtë lëvizje e shohin si një lëvizje të merituar, e për këmbëshpejtin urojnë shumë suksese në të ardhmen.






