Federata e Futbollit të Kosovës, pas kërkesës së bërë Klubi i Futbollit “2 Korriku” për shtyerje të ndeshjes Ballkani – 2 Korriku (e programuar që të zhvillohet këtë fundjavë në kuadër të Superligës së Kadetëve), ka vendosur që ndeshja në mes të “suharekasve” dhe “prishtinasve” të shtyhet për t’u zhvilluar në një datë tjetër.
Kërkesa për shtyerje të këtij ballafaqimi nga ana e klubit “verdheblu” ka ardhur për faktin që skuadrës së drejtuar nga Mustafë Pronaj, deri më datë 11 Tetor, do t’i mungojnë futbollistët Beart Zhubi e Elvir Gashijan, të cilët siç dihet, deri në datën e përmendur, do të angazhohen me moshat nën 17-vjeç të shtetit tonë, Kosovës.
Klubi i Futbollit “2 Korriku” ka shprehur mirënjohje për FFK-në në lidhje me pranimin e kërkesës së bërë për shtyerjen e ndeshjes së lartpërmendur dhe si rrjedhojë ka përshëndetur nivelin e bashkëpunimit që ka hasur në këtë rast me zyrtarët përgjegjës nga shtëpia e futbollit në Kosovë.






