AlbanianEnglish

,

Raporti i ndeshjes 2 Korriku – Vllaznia

Pritjes i vjen fundi; 2 Korriku shënon fitoren e parë si vendës, e madje arrin një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme kundër një ekipi kundërshtar si Vllaznia e Pozheranit.

Dy gola, një në secilën pjesë, bën që “verdheblutë” kryeqytetas të dalin ballëlartë nga stadiumi në Arbëri, e pos kokës lartë, në “xhepat” e tyre futën edhe tri pikë të reja, më se të merituara.

Pikë të merituara po, por edhe të vështira dolën të jenë këto të sotmet për 2 Korrikun, ekip i cili që në minutën e tretë rrezikohet nga mysafirët pozheranas, të cilët madje realizojnë në rastin e parë, mirëpo goli anulohet me arsyen se futbollisti Osmani që përfitoi pas topit të kthyer nga portieri vendës e realizoi, ishte në pozitë jashtë loje.

Një skenar i njëjtë si ai i mysafirëve vie në shprehje edhe për 2 Korrikun në minutën e shtatë. Është Ylli Prekopuca futbollisti që kësaj radhe realizon, mirëpo gjyqtari anësor Bakaj ngrit flamurin për pozitë jashtë loje, me ç’rast bën që rezultati të mbetet ai i fillimit, 0:0.

Minutat ecin e 2 Korriku nis të marrë kontrollin e duelit. Është minuta e dymbëdhjetë kur mesfushori Jetullahu pranon topin e dëbuar nga zona e mysafirëve dhe godet fuqishëm e jashtë kuadratit, duke mos realizuar por duke dhënë shenjë se “verdheblutë” janë serioz në çështjen e marrjes së tri pikëve.

Domimini vazhdon edhe më tej nga vendësit. Kësaj radhe, në minutën e gjashtëmbëdhjetë, në rast të mirë shënimi e sheh veten mbrojtësi Përparim Osmani, që nga afërsia godet, me topin që del jashtë kornizës së portës mysafire.

Koha po ecte, por njëkohësisht po rriteshin edhe sulmet e të besuarve të Besim Ademit. Luhej minuta e tetëmbëdhjetë; del në “skenë” Shefki Aliti, që godet fort në drejtim të portës, goditje e cila ndalohet nga një mbrojtës i Vllaznisë, por që hap shumë dyshime, për faktin e ajo goditje u pretendua se u ndal me dorë nga mysafiri, mirëpo gjyqtari nga Gjakova, Nagavci, përkundër protestave të vendësve, lë lojën të luhet e nuk sinjalizon asgjë.

Ndeshja vazhdon. Edhe një tjetër rast në të mirë të vendësve. Tani vjen radha për Osmanin, që përsëri e sheh veten në zonën mysafire, merr topin e godet, por devijimi i lehtë i portierit Mehmeti e dërgon topin në rrjetë të jashtme e mbrojtësit vendës ia mohon golin e avantazhit.

Radha tashmë ishte për mysafirët që të rrezikojnë. Përmes Ismailit tentohet goli në minutën e tridhjetë e tretë, por goditja përfundon jashtë, me ç’rast shërben vetëm si shkëndijë për të treguar se Vllaznia është prezente në ndeshje.

Pas tërë këtyre tentimeve, pritjes i vjen fundi. Aliti dërgon top të gjatë drejt Bajramit, lojtarit të ndeshjes sot, që pranon topin e futet në mesin e dy kundërshtarëve, ku edhe pengohet, dhe për këtë, “bilbili kryesor” vërshëllen për njëmbëdhjetë metërsh, nga ku i saktë tregohet mesfushori Jetullahu, i cili për shkak edhe të reagimit jo fort të mirë të portierit mysafir, shënon për 1:0.

Shikuesit po ndahen të kënaqur, mirëpo futbollistët nuk mbaruan me kaq, sidomos pas atij goli të avantazhit, që siç u pa ua ua ndezi “motorrët” vendësve, që hidhen sërish në sulm me treshen Aliti, Avdiu e Bajrami, mirëpo kësaj radhe rreziqet vijnë nga Jetullahu, i cili lëshon dy goditje të shpejta brenda pak minutave, por që për fatin e mirë të mysafirëve njëra përfundon jashtë portës e tjetra pritet nga portieri Mehmeti.

Tutje, radha është për skuadrën e drejtuar nga Sallah Sherifi. Është Taulant Ajeti që në minutat shtesë të fraksionit të parë që tenton ta surprizoi porterin e pa punë deri në ato momente, Ajetin, i cili reagon mirë e i jep mundësinë ekipit të tij që të shkoi në pushim me epërsi prej një goli.

Pjesa e dytë nis njësoj si e para. Është i disponuari për lojë nga radhët e 2 Korrikut, Jetullahu, që lëshon rrezikun e parë (46’), për t’i hapur rrugë një rreziku të Vllaznisë, rrezik që vjen nga futbollisti Sherifi (52’), i cili godet fuqishëm, por larg portës vendëse.

Që pjesa e dytë të jetë pak më speciale se e para, përkujdeset këmbëshpejti Flamur Bajrami. Futbollisti Bajrami, pasi merr një top nga Jetullahu, hyn në mesin e tre-katër kundërshtarëve, nga ku del mjaft mirë, i jep një të shtyrë të lehtë të topit, e realizon për 2:0, për ta bërë këtë ditë edhe më të bukur për të gjithë ata të pranishëm në stadiumin e 2 Korrikut.

Dy gola sikur e qetësuan ndeshjen, të cilën e kaploi një lloj zbehje për afro dhjetë minuta, deri kur del në “skenë” sërish Labinot Jetullahu, që jep një tjetër goditje, por e cila kësaj radhe përfundon më larg se ato të mëparshmet.

Se 2 Korriku nuk e ka ndërmend të ndalet, u përkujdës të tregoi futbollisti Erjon Morina, i inkuadruari në pjesën e dytë. Sulmuesi shtagjatë merr një top në gjysmëfushën kundërshtare, kalon dy-tre kundërshtarë e del përballë portierit, por zhgënjen me goditjen, e cila përfundon mbi portë e i lë shifrat ashtu siç ishin që nga minuta e pesëdhjetë e pestë.

Katër minuta në vonë, bëhet “e gjallë” edhe Vllaznia, që rrezikon, por pa diçka konkrete, me portierin Ajeti që vazhdon ta mbajë portën e paprekur.

Fundi i ndeshjes, ose më saktësisht pesë minutat e fundit të kohës së rregullt, jepin nga një rast për të dyja skuadrat. Së pari është Labinot Jetullahu që godet nga afro tridhjetë metra, goditje që preket pakëz nga portieri mysafir e më pas përfundon në shtyllë, kurse më pas, si rast i fundit i ndeshjes shënohet goditja e Florent Osmanit, e cila përfundon jashtë portës.

Pas pesë minutave shtesë, Nagavci i jep fund ndeshjes, me 2 Korrikun që tanimë barazon pikërisht Vllazninë me pikë, me të dyja skuadrat që ndodhen në fundin e tabelës, me vetëm nga një pikë larg pozitës shtatë dhe tetë në renditje.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Dymbëdhjetë

2 Korriku – Vllaznia [2:0] (1:0 pas pjesës së parë)

Gjyqtarët: Flamur Nagavci, Edon Kosumi, Diamant Bakaj

Delegat i ndeshjes: Zenel Krasniqi

Vëzhgues i gjyqtarëve: Naser Ajvazi

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, R. Jashari (E. Gashijan 89’), A. Salihu, Y. Prekopuca, P. Osmani, A. Oruqi (kap.)(E. Morina 69’), A. Bllaca, L. Jetullahu, Sh. Aliti (R. Arifi 89’), M. Avdiu (A. Shahini 69’), F. Bajrami (G. Latifi 83’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Vllaznisë: D. Mehmeti, A. Sherifi (K. Pira 58’), V. Ymeri (Sh. Haliti 58’), A. Ibrahimi (A. Halili 90’) F. Osmani, T. Ajeti, H. A. Onaka, R. Ismaili, S. Halabaku (B. Abazi 58’), A. Halimi, E. Jakupi (kap.)(G. Hyseni 76’). Kryetrajner: Sallah Sherifi.

 

 

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave