AlbanianEnglish

,

Raporti i ndeshjes 2 Korriku – Vushtrria

2 Korriku asesi ta gjej fitoren e parë në shtëpi, mposhtet nga Vushtrria me rezultat minimal (0:1).

E shtuna e tretë e Tetorit ka sjellur një super përballje në mes 2 Korrikut e Vushtrrisë, skuadra këto që u ndeshën në kuadër të xhiros së nëntë të Viva Fresh Ligës së Parë.

Plot emocione e raste dhuroi dueli mes “prishtinasve” e “vushtrriasve”, i cili në fund përfundoi me Vushtrrinë si fituese, me golin e vetëm të realizuar nga Urim Statovci (60’).

Në fakt, nëse ka një ndeshje të edicioneve të fundit ku 2 Korriku nuk është dashur të humb, atëherë pa dyshim se e sotmja ndaj Vushtrrisë është ajo. Djemtë e udhëhequr nga Besim Ademi sot kanë bërë thuajse paraqitjen më të mirë të këtij edicioni duke dominuar në pjesën më të madhe të ndeshjes e duke shpërdoruar një mori rastesh, të cilat sot ishin vërtetë në numër të madh.

Përballjen e zhvilluar në Arbëri të kryeqytetit më mirë e nisi skuadra mysafire e drejtuar nga Alban Dragusha, e si rrjedhojë edhe arrit që të rrezikoj e para me Maxhunin (7’) që ishte në pozitë të mirë, por i cili dështoi të realizoi. Sidoqoftë, rasti i humbur nga këmbëshpejti vushtrrias siç duket ua ndezi motorrët “verdhebluve”, të cilët nga ai çast u ngjallën. Rreziku i parë nga 2 Korriku erdhi me golin e Miftar Avdiut (14’), gol që u anulua për pozitë jashtë loje, e i cili hapi rrugën e një ndeshjeje të hapur.

Vazhdimi solli dy skuadra me plot dëshirë për fitore, por që solli edhe lajme jo të mira për 2 Korrikun, sepse u desh të ndërhyhej me dy zëvendësime të detyruara, si rrjedhojë e lëndimeve të Shefki Alitit (28’) e Agron Beqirit (38’), në vend të të cilëve u futën dyshja Bajrami e Oruqi.

Vushtrria arriti të dalë përpara sërish, madje rrezikoi me dy goditje, të cilat u bllokuan nga mbrojtja vendase, e të cilat shënuan edhe fundin e rasteve për “vushtrriasit” në këtë pjesëlojë. Radha ishte për “verdheblutë”, që përkundër zëvendësimeve të bëra, shkuan duke e ngritur ritmin e madje lehtë mund të shkonin në pushim mes pjesëve me epërsi prej dy golave, vetëm sikur Avdiu (44’) e Bajrami (45+) të tregoheshin më konkretë në rastet që patën ballë për ballë me portierin Tahiri.

Skuadrat shkuan në pushim pa gola të shënuar, për t’u kthyer në një pjesë të dytë thuajse të njëjtë me të parën, pjesë që prodhoi shumë e pa dyshim se edhe shikuesit i la të kënaqur me atë që ofroi.

Të parët që rrezikuan në fraksionin e dytë ishin djemtë nga kryeqyteti me mesfushorin Jetullahu (48’), i cili u asistua nga Avdiu, por goditja e të cilit nuk përfundoi aty ku të gjithë prisnin, në rrjetë. Skuadra mysafire nuk hezitoi fare dhe dha kundërpërgjigje shpejtë, madje për pak sa nuk realizoi me futbollistin e huaj Irogue (49’), goditjen e të cilit e priti portieri Ajeti, që edhe sot dhuroi paraqitje fenomenale.

Rasti i Irogue siç duket i parapriu golit të epërsisë për skuadrën e Vushtrrisë. Luhej minuta e 60’të kur me një kundërzbritje të shpejtë, ekipi mysafir arriti të dalë në pjesëfushën e 2 Korrikut, e ku sulmuesi Statovci u asistua dhe nga afërsia realizoi për 0:1.

Goli i pranuar nuk ndikoi aspak në mënyrën e të luajturit të skuadrës vendase, që sërish tentoi e tentoi deri në fund. Plot 14 minuta pas golit të pësuar, shifrat gati sa nuk u barazuan, me mesfushorin Jetullahu që i dha një goditje të fortë shtyllës së portës mysafire, e cila ia mohoi golin më të bukur të këtij edicioni e bëri që shifrat të mbeten të pandryshuara.

Deri në fundin e ballafaqimit, kryetrajneri Ademi tentoi të ndryshoi diçka me futjen në lojë të debutuesit Morina e mesfushorit Rama, të cilët patën impakt në lojë e madje ndihmuan jashtëzakonisht skuadrën që të shtyjë përpara drejt golit të barazimit që nuk po arrihej asesi.

Insistimi i vendësve vazhdoi, mirëpo kjo për pak sa nuk u kushtoi me pësim të golit të dytë, sidomos pas goditjes fenomenale të Ademit (75’), të cilën vetëm një Arnis në super formë arriti ta ndalë.

Pas rastit të mysafirëve me Ademin, erdhi momenti më diskutabil i ndeshjes, ku edhe u kërkua penallti nga djemtë “verdheblu” (77’) pas rastit jashtëzakonisht të dyshimtë për prekje me dorë në zonën e Vushtrrisë, mirëpo përkundër reagimeve të futbollistëve vendës, gjithçka kaloi nën heshtjen e gjyqtarit kryesor që nuk sinjalizoi për njëmbëdhjetë metërsh, por la lojën të zhvillohet.

Tutje në vazhdimin e ndeshjes, ishte sulmuesi Morina i 2 Korrikut që për pak sa nuk e arriti golin në minutat shtesë, kur me të djathtën e tij dha një goditje të fuqishme për porterin Tahiri, të cilin sot gjyqtari Haxhimustafa e toleroi deri në pafundësi me zhagitjet e tij, që dikur u bënë të tepërta e irrituese edhe për vet shikuesit e lëre më për lojtarët në fushë.

Kështu, ndonëse u përpoqën shumë, futbollistët “verdheblu” u mposhtën, gjë që u vulos kur gjyqtari dha shenjë për përfundimin e duelit të fundit të fazës së parë të kampionatit.

Me të përfunduar ndeshja e sotme, për 2 Korrikun nuk do të ketë kohë për pushim, sepse në plan janë dy ndeshje brenda javës tjetër, fillimisht ajo kundër Ramiz Sadikut, të mërkurën si vendës, dhe më pas ajo kundër Vjosës, të dielën si mysafirë.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Tetë

2 Korriku – Vushtrria 0:1 (0:0 pas pjesës së parë)

Golashënues: Urim Statovci (60’)

Gjyqtarët: Taulant Haxhimustafa, Arsim Sadiku, Pashtrik Burrniku

Delegat i ndeshjes: Enver Duriqi

Vëzhgues i gjyqtarëve: Zymer Berisha

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, P. Osmani, A. Beqiri (A. Oruqi (38’), A. Shahini, R. Jashari, Y. Prekopuca (kap.), A. Bllaca, L. Jetullahu, Sh. Aliti (F. Bajrami 28’), M. Avdiu (E. Morina 71’), G. Latifi (Rr. Rama 71’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Vushtrrisë: P. Tahiri, E. Halimi, Rr. Statovci (Z. Ademi 46’), L. Avdyli, A. Makolli, L. Emini (L. Behrami 88’), E. Pasoma, D. Ahmeti (T. Avdyli 85’), D. Maxhuni (kap.), U. Statovci (G. Sahiti 90+), A. Shala (E. P. Irogue 46’). Kryetrajner: Alban Dragusha.

 

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave