AlbanianEnglish

,

Raporti i ndeshjes Arbëria – 2 Korriku

Sot, 2 Korriku arriti fitoren e parë në kampionat, pasi mposhti me rezultat të pastër, 0:1, Arbërinë e Dobrajës, që në takimin e së dielës ishte si vendase e takimin e zhvilloi në “Sami Kelmendi” të qytetit të Lipjanit.

Lipjan sot u përballën dy skuadrat e fundit në renditjen tabelare, Arbëria dhe 2 Korriku. Ndeshje e rëndësisë së veçantë ishte për faktin e vetëm që të dyja skuadrat ndodheshin në gjendje jashtëzakonisht kritike me rezultate, por siç duket rëndësia e madhe i zmbrapsi paksa të dyja ekipet, sepse kërkohej më shumë të mos pësohej gol, se sa të shënohej. Por, për fat të mirë, kjo mënyrë e lojës zgjati pak, sepse rezultati u pa të ndryshohej që në minutën e 22’të, kur sulmuesi Avdiu arriti ta shfrytëzoi topin e fituar në mesfushë dhe bukur arriti që portierin Reka ta dënoi, e skuadrës nga Prishtina t’ia japë avantazhin që më shumë sesa vendësit e meritoi deri në ato momente.

Rrjedha e ndeshjes ndryshoi pas golit të shënuar, sepse kuptohej që vendësit do të kërkonin më shumë, e këtë edhe e bënë, por që kryesisht kërcënimet u bënë vetëm nga goditjet nga jashtë zonës së rrezikshme, si ajo e Molliqajt që për pak sa nuk përfundoi në rrjetë.

Pjesa e parë nuk pati momente tjera të cilat vlen të veçohen, sepse futbollistët sikur u ruajtën për pjesëlojën e dytë, në të cilën në të dyja anët pati mundësi të mira për gol, sidomos nga ana e 2 Korrikut që shumë lehtë ka mundur ta dënoi ekipin kundërshtar, sidomos në kundërzbritjet e shpejta që bëheshin qoftë përmes anësorëve Latifi, Aliti e më pas edhe Bajrami, qoftë edhe përmes mesfushorit Bllaca, i cili me shpirtin e tij “luftarak” arriti që shpeshherë të thyej mbrojtjen vendëse, e madje për pak sa nuk arriti edhe golin, kur goditja e tij e plogësht u prit nga shtatlarti Reka.

Arbëria u ngjall në fraksionin e fundit të ndeshjes, sepse nuk pati kohë më për të humbur dhe si rrjedhojë kërkonte që të krijonte diçka më shumë, që të paktën të mos dilte e mposhtur si vendëse. Në fakt “dobrajasit” nuk krijuan shumë, por rrezikonin më shumë përmes goditjeve nga jashtë zona si ato të Molliqajt e Binishit, mirëpo të cilat për mrekulli i dëboi fantastiku i “verdhebluve”, Arnis Ajeti.

E duke e ditur të gjithë rrjedhën e ndeshjes, e cila nuk prodhoi më shumë se një gol, fundi sjelli konkludimin se për 2 Korrikun, vendimtarë dolën te jenë Miftar Avdiu e Arnis Ajeti. Njëri doli vendimtar me golin e realizuar, e tjetri me super pritjet e bëra që vërtetë ia japin epitetin e njeriut të momentit te 2 Korriku.

Çfarë ishte me rëndësi të madhe dhe që duhet përmendur është se sot, te të besuarit e Besim Ademit, u pa plot grintë, shumë punë e përkushtim, gjëra këto që me sa u pa e arritën kulmin, sepse vërtetë u kërkua fitorja me çdo kusht.

Lajm i mirë për “verdheblutë” është rikthimi i anësorit Flamur Bajrami, e po ashtu sinjal të mirë dha edhe debutuesi Rrezar Rama, që tregoi karakter e ndihmoi ekipin, sidomos në pjesën defanzive.

Tani 2 Korriku do t’i hedh sytë nga ndeshja e radhës, që do të shënoj fundin e fazës së parë e që do të jetë ndeshja kundër Vushtrrisë, skuadër e cila momentalisht ka pesëmbëdhjetë pikë e gëzon vendin e dytë në renditje, ndërsa në anën tjetër, Arbëria do të udhëtoj për në Prishtinë, vend ku do ta ketë përballë skuadrën e Flamurtarit.

 

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Tetë

Arbëria – 2 Korriku 0:1 (0:1 pas pjesës së parë)

Gjyqtarët: Ilaz Ajeti, Denis Nimani, Leutrim Azemi

Delegat i ndeshjes: Kemajl Dumnica

Vëzhgues i gjyqtarëve: Mirsad Qehaja

Formacioni startues i Arbërisë: A. Reka, E. Hyseni, A. Jashari, A. Gashi (kap.), J. Berisha, A. Hamiti (A. Zuqaku 63’), G. Binishi, A. Bajrami (G. Rrustemi 85’), A. Bikliqi (R. Hasimi 78’), F. Molliqaj, E. Sefa (D. Nura 46’). Kryetrajner: Ali Osmani.

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, P. Osmani, A. Beqiri (B. Shala 46’), R. Jashari, Y. Prekopuca (kap.), A. Bllaca, L. Jetullahu (M. Hyseni 87’), Sh. Aliti (R. Arifi 87’), M. Avdiu (Rr. Rama 80’), G. Latifi (F. Bajrami 80’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave