FC 2 Korriku ka kënaqësinë që të njoftojë opinionin se ka arritur marrëveshje me FC Prishtina për huazimin e futbollistit Olt Pllana deri më 30 Qershor 2024.
Dy klubet kryeqytetase kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit, dhe për këtë gjë FC 2 Korriku shprehet falënderues ndaj klubit “bardhekaltër” që është treguar jashtëzakonisht i shpejtë në këtë rast duke bërë që procedurat të kryhen në kohë rekorde dhe futbollisti Pllana të regjistrohet si futbollist i “verdhebluve”.
“2 Korriku është ekip që e njoh mjaft mirë, sepse më ka rënë që të ndeshem sidomos sa isha pjesë e moshave U19 të Prishtinës. Është ambient mjaft i mirë dhe kushtet për punë janë në rregull. Unë kam për detyrë që gjatë këtyre muajve sa do të më zgjasë huazimi ta tregojë veten dhe t’i shpërblej drejtuesit që kanë shfaqur interesimin për të më afruar mua në skuadër”, tha Pllana, i intervistuar nga 2korriku.com disa minuta pasi u prezantua me ngjyrat e klubit nga Arbëria.
Për huazimin e futbollistit Olt Pllana nga Prishtina u prononcua edhe drejtori sportiv i 2 Korrikut, Drilon Baholli: “Na vjen mirë që kemi arritur ta bindim një lojtar me kaq potencial si Olti, që të na bashkohet, ndonëse vetëm në formë huazimi. I jemi mirënjohës Prishtinës për mirëkuptimin dhe profesionalizmin e treguar. Ekipi ynë po kompletohet dhe pranvera do të na gjejë shumë më të fortë.”
Olt Pllana është i lindur më 08.11.2004 dhe mund të aktivizohet si mesfushor defanziv dhe si qendër-mbrojtës. Ai tashmë është bashkuar me grupin dhe do të jetë i gatshëm për paraqitje që nga dueli për Kupën e Kosovës kundër Vjosës.