Pas afro dy muajsh pauzë, garat zyrtare në futbollin e Kosovës do të rikthehen këtë fundjavë, saktësisht me ndeshjet e raundit 1/8 të Kupës së Kosovës.
Për duelin e parë, që zhvillohet të shtunën në ‘Sami Kelmendi’ të Lipjanit kundër KF Vjosa, për 2korriku.com u prononcua mesfushori i 2 Korrikut, Shqiprim Kelmendi: ‘Kemi punuar jashtëzakonisht mirë në fazën përgatitore dhe kjo ka shumë rëndësi për neve dhe për ecurinë tonë në garat e këtij edicioni.’
‘Ndonëse kemi një numër të madh lëndimesh, në ndeshje do të futemi për ta dhënë më të mirën. Ndeshja për Kupë do të merret shumë seriozisht, por mbi të gjitha do të na shërbej që ta shohim përafërsisht formën tonë momentale, theksoi tutje Kelmendi, i pyetur lidhur me rëndësinë e ndeshjes dhe gjendjen e ekipit.
2 Korriku në raundin e kaluar të Kupës e mposhti Fushë Kosovën, ekipin e Superligës, teksa nesër do ta ketë përballë kampionin vjeshtor të grupit ‘B’ të Raiffeisen Liga e Parë. Për këtë gjë, si pyetje e fundit, Kelmendi dha këtë përgjigje: ‘Vet fakti që më parë kemi eliminuar një ekip nga Superliga, na bën që të kuptojmë se kemi forcë që ta kalojmë secilin kundërshtar. Ne e dimë se nuk kemi pretendime për Kupë, por shkuarja në nivelet më të larta të këtij kompeticioni natyrisht se do të na bënte mirë të gjithëve, sidomos talentëve të skuadrës, që mund të përfitojnë shumë nga këto ndeshje.’






