Stadiumi “Agron Rama” në Obiliq sot hapi dyert për rivalët e kryeqytetit, Prishtinën e 2 Korrikun, për një duel miqësor që ngriti siparin e ndeshjeve të këtij lloji për të dyja skuadrat në këtë fillim të përgatitjeve për edicionin e ri garues.
Djelmoshat e 2 Korrikut sot, përkundër ekipit kundërshtar shumë të fortë perballë, treguan shumë brenda vijave të fushës së blertë dhe u angazhuan deri në limite, duke iu shpëtuar fitorja për pak nga duart vetem në fundin e ndeshjes, ani pse në epërsi kaluan në minutën 76’, kur harkimin fenomenal të Endi Sopit e shndërroi në gol futbollisti i prezantuar dje në kampin “verdheblu”, Enes Duraku, me një goditje të fuqishme me kokë.
Sidoqoftë, për të përfunduar ndeshja baraz u përkujdes Mergim Pefqeli i skuadrës “bardhekaltër”, që sot ishte në cilësinë e nikoqires, i cili realizoi super-gol përballë portierit të ri të inkuadruar në ekipin senior nga ai junior, Gentian Dragusha.
Për ekipin nga Arbëria e kryeqytetit vlen të përmendet se sot debutuan tre futbollistët e ardhur deri më tani në afatin kalimtar veror: Ardit Gashi, Edon Zeqiri dhe Enes Duraku.
Besim Ademi si kryetrajner i “verdhebluve” duelin e sotëm e nisi me këtë formacion: në portë Flamur Neziri; në vijën e mbrojtjes Riad Jashari, Abit Salihu, Agron Beqiri e Milot Hyseni; në mesfushë kapiteni Andi Oruqi bashkë me Arjol Bllacën e Edon Zeqiri; në sulm Redon Bejta, Ardit Gashi dhe Gneilpekan M. Camara. Në pjesën e dytë pati rast edhe për futbollistët e ardhur nga ekipi junior, si dhe për futbollistët që janë në prova në klubin e 2 Korrikut, për të cilët do të kuptohet e ardhmja shumë shpejt.
Pas këtij dueli, 2 Korriku planifikon që të rrisë intensitetin e stërvitjeve, si dhe të shohë për ndeshje tjera të karakterit miqësor, që do të iu paraprijnë garave të rregullta në Ligën e Parë të Futbollot në Kosovë.