2 Korriku ka arritur pikë me vlerë të madhe në udhëtimin në Shtime, ku u përballë me skuadrën më në formë në futbollin kosovar, Vjosën- ekip që në katër ndeshjet e para kampionale arriti plot 12 pikë.
Ndonëse u prit me shumë me emocione, dueli i sotëm i transmetuar drejtpërdrejt në platformën “ArtMotion” nuk dhuroi atë që pritej, me Vjosën e 2 Korrikun që gjatë tërë ndeshjes nuk patën thuajse asnjë rast të volitshëm, përjashto këtu gjysmë-rastet dhe goditjet nga largësia që nuk rezultuan të suksesshme.
Ekipi mysafir e nisi më mirë ndeshjen, madje në gjysmën e pjesës së parë, pos që nuk u rrezikua seriozisht, tentoi disa herë me goditje nga larg e më ndërprerje që të realizoi- pa sukses.
Vjosa ndonëse angazhohej, në fraksionin e parë nuk pati diçka konkrete dhe si rrjedhojë nuk u tundën as rrjetat, me portierët që kohën më të madhe e patën të “lirë”, pa pasur nevojë për intervenime.
Pjesa e dytë nisi me formacionet e njëjta të të dyja ekipeve, me trajnerët Krasniqi e Ademi që iu besuan startuesve. Ritmi i ndeshjes nuk dalloi edhe aq me atë të së parës, përveç 15 minutave të fundit të rregullt dhe minutave të kohës shtesë (8 minuta) kur 2 Korriku u desh që të “mbahet” me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të futbollistit Andi Oruqi, që u ndëshkua për të dytën herë brenda ndeshjes me kartonin e verdhë dhe pasoj i kuqi nga gjyqtari Tefik Maloku, që sot ishte për notën dhjetë brenda vijave të fushës së bashku me asistentët e tij.
Ndonëse në epërsi numerike, Vjosa nuk e arriti golin, ndonëse tentoi disa herë me radhë, sidomos me gjuajtje nga jashtë zone, por të gjitha përfunduan në duart e portierit Flamur Neziri ose jashtë kuadratit të portës. Për t’u përmendur është edhe rasti i Selimit në minutën 90’+5’ që ishte i vetëm para portës, por me plogështi topin e dërgoi disa centimetra jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Neziri.
Minutat shtesë mund të ishin fatale për vendësit e Vjosës, sikur Prekopuca ta jepte pasimin final për debutuesin Londrit Hamidi, apo Camara e Kelmendi të gjenin zgjidhje të duhura në kundërzbritjet e shpejta në të cilat e shihte veten 2 Korriku shpeshherë.
Sakaq, dueli u mbyllë ashtu siç nisi, me rezultatin e “bardhë” dhe me skuadrat fituese të nga një pike.
Prononcimi i shkurtër kryetrajnerit Besim Ademi për 2korriku.com, pas ndeshjes:
“Pikë e vlefshme që na shërben shumë, sidomos në këto momente. Erdhëm nga një ndeshje shumë e dobët e jona dhe sot u këndellëm, e me pak fat edhe mund të ktheheshim tek fitorja. I përgëzoj djemtë për angazhimin- vazhdojmë tutje.”
Viva Fresh Liga e Parë- Xhiro V
Vjosa – 2 Korriku 0:0 (0:0)
Gjyqtarët e ndeshjes: Tefik Maloku, Fisnik Rama, Ramadan Bekteshi, Alban Shala (VAR), Pashtrik Burrniku (AVAR)
Delegati i FFK-së: Kadri Cikaqi nga Prishtina
Vëzhguesi i referimit: Idriz Kelmendi nga Peja
Formacioni startues i Vjosës: Rinor Azemi, Bashkim Selimi (Endrit Asllanaj 83’), Festim Haxhiu (Përparim Livoreka 63’), Riad Murseli, Albinot Kozmaqi, Drin Ymeri, Akil Makolli, Qerim Tershani /kap./ (Endrit Bytyqi 72’), Ardian Selimi, Muhamed Llapashtica, Astrit Fazliu. Kryetrajner: Leotrim Krasniqi.
Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Albert Stublla, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri (Londrit Hamidi 83’), Gneilpekan M. Camara, Enes Duraku, Ardit Gashi (Ylli Prekopuca 77’), Redon Bejta (Shqiprim Kelmendi 71’). Kryetrajner: Besim Ademi.