Elementi ndoshta i vetëm pozitiv i duelit me Ulpianën, për 2 Korrikun ishte aktivizimi i futbollistëve Miftar Avdiu e Jehon Stublla, me të parin që u rikthye nga lëndimi e të dytin që po ashtu u rikthye nga lëndimi e debutoi pas rikthimit në kampin “verdheblu” këtë verë që po lëm pas.
Si Avdiu ashtu edhe Stublla janë futbollistë që Ligën e Parë e njohin mjaft mirë, gjë që e bën edhe më të vlefshëm rikthimin e tyre me ekipin, që tani mund të konsiderohet i kompletuar dhe pa asnjë mungesë, me fatin e mirë që deri tani nuk është hasur në lëndime dhe i gjithë kontigjenti është i gatshëm për ndeshjen e radhës.
“U bën katër muaj prej se u lëndova dhe rikthimi në këtë periudhë më dha disponim në të mirë, përkundër që u aktivizova në një ndeshje nga e cila nuk morëm rezultatin për të cilin ishim përgatitur tërë javën”, theksoi Avdiu pas minutave të marra në duelin e fundit kampional, teksa në anën tjetër, disa fjalë u thanë edhe nga mbrojtësi Stublla: “Tash jam shumë i gatshëm për ta ndihmuar ekipin duke e dhënë maksimumin tim. Në ndeshjen që u aktivizova pata emocione të përziera, kjo natyrisht për faktin se humbëm dhe nuk arrita ta shijoj debutimin si duhet. Gjithsesi, ne kemi kokën lartë dhe të gjitha i kemi lënë pas krahëve – tani vijojmë me përgatitje për ndeshjen e radhës.”
Potencojmë se 2 Korriku deri tani ka arritur dy fitore, një barazim dhe është mposhtur një herë, me ç’rast mbanë pozitën e katërt në renditjen tabelare të grupit “B” të Viva Fresh Ligës së Parë. E premtja e datës 22 Shtator, 2 Korrikut i sjell duelin e vështirë përballë skuadrës së Vjosës, që deri tani ka bilanc fantastik me katër fitore në katër ndeshje sa janë zhvilluar në garat zyrtare.






