E shtuna e kësaj fundjave pa 2 Korrikun përballë skuadrës së promovuar në Viva Fresh Ligën e Parë, Vjosës nga Shtimja. Në fushën e stadiumit të 2 Korrikut në Prishtinë, skuadrat u paraqitën në kuadër të xhiros së dytë të Viva Fresh Ligës së Parë.
Në këtë ndeshje 2 Korriku erdhi nga një barazim i arritur në xhiron e parë kundër Ramiz Sadikut e Vjosa erdhi nga fitorja në shtëpi kundër Ulpianës me rezultat të pastër, 2:0. Të dyja skuadrat patën qëllim të njëjtë në këtë ndeshje, por rezultati përfundimtar solli përmbushjen e qëllimit të Vjosës, që i arriti tri pikët e radhës.
Viva Fresh Liga e Parë; Java e Dytë
2 Korriku – Vjosa 2:3 (2:2 pas pjesës së parë)
Gjyqtarët: Egzon Dakaj, Zgjim Rahimi, Faton Jakupi
Delegat i ndeshjes: Ismajl Rashiti
Vëzhgues i gjyqtarëve: Mirsad Qehaja
Golat e realizuar: Flamur Bajrami (17’) Arjol Bllaca (45’) – Albijon Shurdhiqi (28), Adonis Aliu (31’), Ardit Gashi (68’)
Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, P. Osmani, R. Arifi, A. Shahini, V. Ibrahimi, A. Oruqi (kap.), A. Bllaca (B. Shala 76’), Y. Prekopuca (M. Avdiu 64’), Sh. Aliti, R. Bejta (E. Gashijani 76’), F. Bajrami (G. Latifi 53’),. Kryetrajner: Besim Ademi.
Formacioni startues i Vjosës: A. Blakçori, E. Fejzullahu (E. Shabani 75’), L. Pajaziti, B. Selimi, T. Haliti, A. Kozmaqi (A. Dodolli 63’), A. Gashi (B. Ahmeti 75’), P. Livoreka (kap.), A. Aliu (I. Pollomi 63’), E. Asllanaj, A. Shurdhiqi (I. Ademaj 90’). Kryetrajner: Erdin Hashani.
Ecuria e ndeshjes
Ndeshja u zhvillua në një mot të nxehtë në fushën e stadiumit të 2 Korrikut, me të dyja skuadrat që treguan ndeshje interesante e që në fund rezultoi me plot pesë gola të realizuar.
Vet fillimi i ndeshjes tregoi se ky duel do të prodhoj shumë gola, sepse ekipet vërtetë treguan lojë të hapur që nga fillimi. Vetëm 17 minuta kaluan dhe ishte Redon Arifi, futbollisti që startoi për herë të parë për seniorët e 2 Korrikut, ai që dërgoi një top të gjatë në drejtim të Flamur Bajramit, i cili më së miri e shfrytëzoi daljen e portierit Blakçcori dhe kaloi skuadrën vendëse në epërsi. Por, kjo epërsi minimale e arritur me shumë meritë nga 2 Korriku, nuk zgjati shumë, me mysafirët që u hodhën në sulm e realizuan dy herë për tre minuta. Së pari Shurdhiqi arriti të shënoi nga afërsia (28’) e pas tre minutash realizoi ish-i i 2 Korrikut, Adonis Aliu.
Ndonëse shumëkush mund të kishte menduar se pjesa e parë nuk do të prodhonte më shumë, ndryshe mendoi mesfushori Arjol Bllaca i 2 Korrikut, i cili shfrytëzoi krosimin mjeshtëror të Alitit, e me kokë e “nguliti” për 2:2. Me këtë gol edhe u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes.
Pjesa e dytë nisi më e zbehtë, me më pak intensitet se ajo e para e në fund rezultoi edhe me më pak gola të shënuar. Në fakt, u realizua një gol i vetëm, ai i Gashit të mysafirëve, i cili në fund doli të jetë vendimtar për Vjosën.
Në më shumë se 20 minutat e mbetur pas golit të Vjosës, kryetrajneri Ademi u mundua të ndryshoj diçka me zëvendësimet e bëra, duke futur lojtarë si Latifi, Avdiu, Shala e Gashijani, por që nuk u arrit të realizohej asnjë gol tjetër, ndonëse përpjekjet për ta barazuar rezultatin nuk munguan.
Kësisoj, Egzon Dakaj mbylli ndeshjen, fundi i së cilës e gjeti fituese Vjosën.
E ajo çfarë vlen të përmendet nga kjo ndeshje për “verdheblutë”, pa dyshim se është debutimi i 16-vjeçarit Elvir Gashijani, i cili sot pati në këmbët e tija afro 15 minuta të kohës së rregullt. Për aq sa u paraqit, djaloshi Gashijani, arriti që të tregohet i rrezikshëm dhe disa herë asistoi për sulmuesit, të cilët lehtë edhe mund të kishin realizuar.
Pas kësaj xhiroje, 2 Korriku vazhdon ta ketë vetëm një pikë në renditjen tabelare, kurse Vjosa tashmë ka 6 sosh. Në javën e ardhshme, 2 Korriku udhëton për në Pozheran, atje ku do të takohet me skuadrën e Vllaznisë.






