Moshat nën 17 vjeç të Kosovës do të jenë pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Evropian, konkretisht të edicionit 2023 të tij. “Dardanët”, që nuk e kanë për herë të parë pjesëmarrjen në gara të niveleve të tilla, ndodhen në një grup me kombëtare si Italia, Greqia e Finlanda. E veçanta e ndeshjeve kualifikuese të këtij grupi qëndron në faktin se po këto ndeshje do të zhvillohen në vendin tonë, konkretisht në stadiumet “Fadil Vokrri” në Prishtinë e “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Siç e do zakoni, as në këto kualifikuese nuk mund të mungojnë futbollistë nga Klubi i Futbollit “2 Korriku”, madje kësaj radhe kombëtarja jonë për kapiten do ta ketë një futbollist nga klubi kryeqytetas, Beart Zhubin. Pos Zhubit si kapiten, i ftuar nga përzgjedhësi Arsim Abazi për kampanjën që nis këtë të merkurë, është edhe futbollisti që në këtë edicion ka debutuar me seniorët e klubit “verdheblu”, Elvir Gashijan.
Dyshja nga 2 Korriku, para se të grumbullohen me kombëtaren, kanë dhënë fjalën se për Kosovën do ta japin maksimumin e tyre e bashkë me shokët “dardanë” do ta tentojnë kalimin e grupit në të cilin ndodhen në këto ndeshje kualifikuese. Pos angazhimit dhe detyrave tjera që i kanë si futbollistë të kombëtares, Zhubi e Gashijani shprehën edhe një herë dashurinë e madhe që e kanë për vendin e tyre dhe se me sa krenari e bartin fanelën e shtetit të tyre.
Sa i përket kësaj kampanje, për t’u informuar më gjerësisht, vlen të permendet se kombëtarja “dardane” ndeshjen debutuese në këto kualifikuese do ta ketë sot (të mërkurën), kur edhe do t’i bëjë “konak” kombëtares italiane në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pas Italisë, kombëtarja kosovare do të ketë punë me kombëtaren e Greqisë më 8 Tetor si dhe më pas më 11 Tetor me atë të Finlandës.
Ritheksojmë se për Kosovën kjo nuk është hera e parë që merr pjesë në ndeshje të niveleve të tilla, teksa tanimë është arritur përvoja e nevojshme dhe natyrisht se tash të gjithë presin që të rinjtë nga Kosova ta rrisin “dozën” e krenarisë me sukseset e tyre që mund t’i arrijnë qoftë në këto ndeshje kualifikuese, apo edhe në ato që e ardhmja do t’i sjell.






