Nesër, më 15 Tetor, 2 Korriku e Vushtrria do t’i masin forcat e tyre në stadiumin e 2 Korrikut në kryeqytet. Ky ballafaqim, që parashihet të nisë në ora 13:00, do t’i gjej përballë skuadrat me gjendje krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Në njërën anë 2 Korriku me vetëm një fitore në tetë xhiro, e në anën tjetër një Vushtrri që ndodhet në pozitën e dytë në renditjen tabelare e që gëzon pesëmbëdhjetë pikë.
Në prag të ndeshjes, në kampin “verdheblu” ekziston motivi e dëshira për të nisur një seri të mirë të rezultateve, sidomos pas fitores së mundimshme të arritur në Lipjan kundër “dobrajasve” të Arbërisë. E për të na i sqaruar edhe më mirë të gjitha, për 2korriku.com ka folur Arjol Bllaca, i cili prononcimin e tij e bëri me të përfunduar stërvitjen e fundit para ballafaqimit të nëntë zyrtar të këtij edicioni.
“Fitorja na ka ndihmuar shumë. Them na ka ndihmuar shumë, sepse e di se në çfarë gjendje kemi qenë deri sa nuk e arritëm fitoren e parë, dhe tash meqë e kemi arritur, normalisht se jemi pak më të çliruar në të gjitha aspektet. Do të kërkojmë që këtë moment të mirë që e kemi ta shfrytëzojmë dhe pse jo edhe nesër ta vazhdojmë me fitore e të hyjmë në një seri të mirë të rezultateve”, tha së pari Bllaca.
Tutje, mesfushori me tipare defanzive shtoi: “Ende na duhet kohë që të rritemi si ekip, mirëpo në anën tjetër e dimë se nuk mund të vazhdojmë të humbim ndeshje, për shkak që faza e parë veç po shkon e neve na duhet reflektim dhe jo ndeshje të zbehta e pa rezultate.”
Bllaca, që formimin si futbollist e ka arritur tek 2 Korriku, debutoi me seniorët “verdheblu” qysh në edicionin e kaluar, teksa në këtë edicion ka arritur që të futet në formacionin bazë. Për këtë gjë, ai foli kësisoj: “Është mirë që të arrish vend si startues në ekip, por pastaj është edhe përgjegjësi kogja e madhe. Për fat të mirë deri tash po ia dal mirë dhe shpresoj që kam për të vazhduar kështu.”
Kujtojmë se skuadra nga Arbëria ka arritur fitoren e parë në xhiron e kaluar, teksa se a do të kërkohet rezultati i njëjtë edhe kundër Vushtrrisë, mesfushori Bllaca dha këtë mesazh për fund: “Prej se jam pjesë e 2 Korrikut, asnjëherë nuk jam futur në një ndeshje për diçka tjetër pos fitores. Edhe nesër, bashkë me ekipin, qëllimin do ta kemi të njëjtë, ta mbyllim ndeshjen si fitues.”






