Paraditen e sotme, 2 Korriku ka kryer përgatitjet e fundit para duelit të radhës, që zhvillohet në Kamenicë, kundër skuadrës hogoshtase të Kikës. Pikërisht për duelin në “Agush Isufi”, për uebsajtin zyrtar të klubit “verdheblu”, foli mbrojtësi i qendrës, Abit Salihu.
Salihu së pari potencoi se gjendja e ekipit është e mirë dhe se përgatitjet për nesër kanë shkuar shumë mirë. “Kemi punuar me shumë seriozitet. E dimë se kemi ndeshje me rëndësi përpara dhe për këtë arsye kemi rritur intensitetin e punës. Ekipi është në gjendje shumë të mirë dhe jemi gati që nesër të udhëtojmë e të marrim pikë nga dueli shumë i vështirë me Kikën”, tha Salihu.
I pyetur për formën personale, Abiti vazhdoi tutje duke thënë: “Po ndihem mirë në fushë. Kam arritur që t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet e këtij stinori deri më tani. Besoj se mund të japë edhe më shumë dhe për këtë jam duke punuar vazhdimisht.”
2 Korriku, që Kikën nuk ka arritur që ta mposhtë asnjëherë në edicionin e tanishëm, në Kamenicë udhëton pas humbjes së rëndë kundër Vjosës si vendës. Se a e ka marrë veten ekipi, mbrojtësi me trup të gjatë theksoi: “Ishte shumë e vështirë që të kapërdihet si humbje. Them kështu sepse me të vërtetë dhamë shumë dhe në fund nuk arritëm që të paktën të marrim një pikë. Sidodqoftë, mësimet që është dashur t’i marrim nga ajo ndeshje, i kemi marrë. Tash ecim përpara.”
Për përmbyllje, futbollisti i rritur në Shkollën e Futbollit “2 Korriku” u shpreh dhe dha këtë mesazh: “Fundi po afrohet; ne jemi të fokusuar në maksimum dhe e kemi të qartë synimin tonë. Do ta japim maksimumin që nesër nga fusha të dalim faqebardhë.”






