Rivalët kryeqytetas, 2 Korriku e Rilindja, kanë shfrytëzuar mesjavën për t’i matur forcat në duel miqësor, pak javë para se garat kampionale për të dyja ekipet të nisin.
Ekipi nga lagjja Arbëria e kryqendrës së Kosovës ka arritur që ta marrë fitoren e dytë me radhë në harkun kohor prej vetëm 5 ditësh, dhe kësaj radhe vendimtar për këtë skuadër doli të jetë sulmuesi me shtat të lartë, Ardit Gashi, që me dy gola hapi serinë e tij si golashënues në klub e njëkohësisht siguroi fitoren e tretë në fazën përgatitore.

Kryetrajneri i 2 Korrikut, Besim Ademi i besoi kësaj njëmbëdhjetëshe në ndeshjen përballë ekipit nga Taukbahçja: Arnis Ajeti në portë; Riad Jashari, Abit Salihu, Ylli Prekopuca, Valton Ibrahimi në mbrojtje; Andi Oruqi /kap./, Arjol Bllaca, Edon Zeqiri në mesfushë; Albion Murturi, Ardit Gashi, Shqiprim Kelmendi në sulm.

Fakt interesant nga ndeshja e sotme del të jetë edhe aktivizimi i futbollistëve Arlind Maqedonci, Nderim Abdullahu e Olti Shala për skuadrën e 2 Korrikut si vendëse, futbollistë të cilët vijnë nga ekipi junior dhe që treguan se mund të jenë elemente shtesë që mund të përdoren nga kryetrajneri Ademi në të ardhmen e garave.
Me tre futbollistët e lartpërmendur, ekipi “verdheblu” tani ka plot 5 futbollistë që përpos ndeshjeve me ekipin senior, ata do të kenë mundësi që në edicionin 2023/24 të aktivizohen edhe me skuadrën juniore.
Vlen të përmendet se në fraksionin e dytë të ndeshjes, mundësia për paraqitje në ekipin e 2 Korrikut iu dha edhe: Gentian Dragushës, Milot Hysenit, Albert Stubllës, Donart Selmanit, Granit Latifit, Gneilpekan M. Camaras dhe Aurel Limanit.
2 Korriku, për sa i përket miqësoreve, nuk do të ndalet me kaq; në plan është miqësorja e së shtunës si mysafirë të Prizrenit, teksa përpos saj si ndeshje, shtabi teknik ka menduar se e nevojshme do të jetë edhe një tjetër miqësore para fillimit të kampionatit, për të cilën do të vendoset ditëve në vijim.






