Nëntë fitore në nëntë ndeshje kanë bërë që 2 Korriku të fitojë epitetin e ekipit kampion për stinorin vjeshtor me moshat nën 15-vjeç në Ligën “C” të Regjionit të Prishtinës. Të besuarit e trajnerit Art Rrustemi kanë arritur që t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e këtij gjysmë-edicioni, madje shumicën prej tyre me rezultate bindëse, çka ka bërë që goldallimi i kësaj skuadre të jetë me 51 gola të shënuar dhe vetëm 6 sosh të pranuar.
Epitetin e më të mirit për stinorin vjeshtor 2 Korriku e arriti pasi e mposhti në fundjavë në duelin “kokë më kokë” konkurrenten kryesore në këtë grup, Shkollën e Futbollit “Marigona”, me rezultatin e ngushtë 1:0.
Për këtë sukses, disa fjalë u thanë nga kryetrajneri i këtij grupi të Shkollës së Futbollit “2 Korriku”, Art Rrustemi: “Ndihem shumë i kënaqur për këta djem që deri këtu kanë ardhur me rezultate vërtetë fantastike. Ky epitet, edhe pse asgjë nuk ka përfunduar në këtë edicion, do t’i ndihmojë ata që të rriten si futbollistë. Qëllimi ynë parësor është që të punojmë në ngritjen e futbollistëve dhe zhvillimin e tyre për një nivel më lartë, teksa gjatë rrugës natyrshëm se do t’i vlerësojmë lartë edhe arritjet tona në nivel grupor.”
Suksesi i arritur nga grupi në fjalë nuk ka kaluar pa u uruar nga kryesia e klubit, që kanë vlerësuar lartë si punën e trajnerëve, ashtu edhe angazhimin e futbollistëve.
Përmendim se në fundjavën që shkoi përfunduan garat për vjeshtën e këtij viti në Ligën “C”, teksa edhe për disa xhiro tjera do të vazhdohet me gara në Ligat tjera, tek të cilat ende do të ketë garë në këtë stinor.






